MPJ i propozon Presidencës lirimin e të gjithë ambasadorëve “të emëruar politikisht”

MPJ i propozon Presidencës lirimin e të gjithë ambasadorëve “të emëruar politikisht”

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se i është dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, propozim për tërheqje dhe lirim nga detyra të të gjithë ambasadorëve të cilët, sipas qeverisë, “janë emëruar politikisht”, njofton Insajderi.

Ahmeti kështu u shpreh me anë të një postimi në Facebook, ku tha se në lidhje me këtë propozim, të enjten do të deklarohet ministrja e jashtme, Donika Gërvalla.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm”, ka shkruar ai.

“Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”, njoftoi më tej Ahmeti.

Gjatë pasdites të së mërkurës në mediat vendore u raportua se Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë vendim për shkarkimin e 13 deri në 15 ambasadorë. /Insajderi.com