Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e personit të dyshuar për vrasjen që ka ndodhur ditën e martë, në komunën e Pejës, shkruan Insajderi.
Siç njofton PK, arrestimi i personit të dyshuar ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:15.
“Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë ndërmarr veprimet e nevojshme operacionale dhe hetimore, dhe sot me datë 19.05.2021, rreth orës 20:15 ka rezultuar që i dyshuari për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” të lokalizohet nga organet e rendit dhe i njëjti ndodhet në ambientet e Policisë”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Sipas policisë, pas arrestimit të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim me prokurorinë dhe organet kompetente.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbardhjen e të gjitha rasteve kriminale dhe sjelljen e kryerësve të këtyre veprave para drejtësisë, në të njëjtën kohë si institucion i zbatimit të ligjit jemi të vendosur që në bashkërendim me IPK-në, për çdo shkelje apo neglizhencë në detyrë nga zyrtarët policor të merren veprime dhe masa rigoroze në funksion të zbatimit të ligjit pa dallim”, është shkruar tutje në njoftim.
Pasditen e së martës u vra një person në rrugën ‘’Gjin Gazulli’’ në Pejë.
Viktima është vrarë nga personi i cili dyshohet që ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij./Insajderi.com