Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëjnë në shërbimin diplomatik, shkruan Insajderi.
Gërvalla në një konferencë për media, deklaroi se presidentja Vjosa Osmani, ka miratuar dekretet për lirimin e ambasadorëve politikë gjatë ditës së djeshme të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikisht është bërë në frymën e programit qeverisës të miratuar, ku parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.
Gërvalla tha se do të vazhdojnë edhe me vendime tjera sa i përket shërbimit diplomatik, teksa bëri të ditur se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.
“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo./Insajderi.com