Kosova s’ka buxhet për skemat sociale të Qeverisë Kurti

Sipas versionit të Qeverisë përpos shtimit të të ardhurave tatimore, shitja e bonove dhe borxhi publik janë mekanizmat sesi buxhetit do t’i shtohen më shumë monedha.

Kosova s’ka buxhet për skemat sociale të Qeverisë Kurti

Rritja e llogaridhënies për financat publike dhe e transparencës për borxhin publik, ridizajnimi i sistemit fiskal, luftimi i evazionit fiskal – janë katër komponentët kryesore që sigurojnë stabilitet të financës publike, sipas profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bedri Peci.

Ligjëruesi në modulin financiar të Fakultetit Juridik i tha Gazetës Online Insajderi, se Qeveria i ka katër vjet që të jetësojë planin për orientimin e ekonomisë, por se komplikimet janë të shumta.

Konsideroi se luftimi i evazionit fiskal do të jetë sfida kryesore e Qeverisë për makrostabilitetin financiar.

Për këtë është zotuar edhe ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti, pasi programi tyre përmban më shumë kosto buxhetore shkak i shtimit të skemave sociale.

2 miliardë e 412 milionë euro, sa ka tash kuleta e shtetit nuk mjaftojnë që të zbatohen skemat sociale të planifikuara.

Në këto rrethana Qeveria është zotuar për rritje të buxhetit.

Para ka, por në shtet nuk shkojnë – lidhur  me këtë profesor Peci e dha një statistikë, ku pohoi se 2 miliardë euro apo 30 për qind të GDP-së, Kosova e humbë nga ekonomia joformale.

Në faqen e 27 të programit të Qeverisë përmendet edhe luftimi i evazionit fiskal.

“Për luftimin e ekonomisë jo-formale, do të angazhohemi në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes ekonomike në Kosovë, me qëllim të rritjes së të ardhurave tatimore”.

Sipas versionit të Qeverisë përpos shtimit të të ardhurave tatimore, shitja e bonove dhe borxhi publik janë mekanizmat sesi buxhetit do t’i shtohen më shumë monedha.

“Kosova paguan miliona euro tarifa të zotimit për shkak se huat publike janë marr dhe nuk janë shfrytëzuar për shkak të mungesës së verësimeve të mirëfillta të implemintimit të projekteve për të cilat janë marr huat”, tha Peci duke iu qasur borxhit publik.

Për sa i përket borxhit publik, nga opozita Qeverisë i është thënë se kjo “mund t’i shkaktojë deficitet buxhetor”, ekonomisë së Kosovës e jo qëndrueshmi ekonomike.

Por, për stabilitetin e ekonomisë, sipas profesorit të UP-së duhet një ridizajnim i  politikave fiskale.

“Në program theksohet se për sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, do të ridisejnojmë politikat fiskale. Konsideroj se ridisajnimi i sistemit dhe politikës fiskale në Kosovë në të gjitha komponentet e saj siç është komponenti i riorientimit të politikës, komponenti legjislativ, teknikës fiskale, etj, është më së i domosdoshëm”.

Asnjë politikë sipas Pecit nuk është e dobishme nëse nuk ka një llogaridhënie për të ardhurat publike nga institucionet dhe qytetarët.

Premtimi për transparencë ka qenë njëra nga pikat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje që nga themelimi si parti politike më 2010.

Por, Kurti si opozitar nuk kishte kritika vetëm për “mungesë të transparencës”, thoshte se Kosovës i duhet një strukturë tjetër ekonomike.

“Unë jam keynsian”, deklaronte Kurti – në diskursin kur politikave sociale i kushtonte më shumë rëndësi sesa makrostabilitetit financiar.

John Maynard Keynes, një ekonomist që njihet për teorinë e punësimit të plotë – ka qenë një nga figurat e përmendura të Kurtit sa herë fliste për punësimin dhe zhvillimin.

Pikërisht, opozita po e kritikon tash kryeministrin dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, se përmes shpenzimeve të larta buxhetore do ta fusin vendin në borxhe e mungesë qëndrueshmërie të ekonomisë. /Insajderi.com