Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i shqetësuar për numrin e vdekje të punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Sipas tij, kjo po ndodhë për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe mungesës së pajisjeve jo të mira të punës.
Këto deklarata Szunyog i ka bërë deri sa ka vizituar vendpunishten e parkingut nëntokësor në oborrin e Universitetit të Prishtinës, bashkë me kryetarin e Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
“Kjo vizitë ka të bëjë me rreziqet dhe shqetësimet tona nga rastet e shumta të lëndimeve në punë. Arsyet që vinë deri te këto raste janë mosrespektimi i rregullave, pajisjet e punës dhe të tjera. Do ta thellojmë bashkëpunimin me sektorin privat që të shikojmë problemet kryesore të shëndetit dhe sigurisë”, ka pohuar ai.
Kurse, kryetari Azemi ka theksuar se kjo vizitë është në shenjë sensibilizimi që siguria në punë të jetë në një stad më të lartë.
“Arsyeja kryesore e kësaj vizite është si shenjë sensibilizimi që të tregojmë se siguria ka shumë rëndësi sidomos në këto vendpunishte, duke mos anashkaluar edhe pronarët e këtyre kompanive, andaj bëjmë kërkesë që ta ruajmë shëndetin tonë dhe të punëtorëve”./Insajderi.com