Berisha: Do të ngre padi ndaj Sekretarit Blinken për shpifje

Berisha: Do të ngre padi ndaj Sekretarit Blinken për shpifje

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka njoftuar sot se do të ngre padi ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për vendimin e tij për shpalljen person “non-grata” në Amerikë, njofton Insajderi.

Ish-kreu i qeverisë ka thënë se padia do të ngrihet në Francë.

Ai thotë se këtë veprim do ta marrë në këtë shtet pasi që është neutral dhe tha se sipas avokatit të tij, Sekretari Blinken nuk mund të ketë mbrojtje për shkak të detyrës së tij.

“Jam këtu për të informuar ju, për një vendim të pazakonte por të rëndësishëm. Për arsye që janë tërësisht që janë të panjohura për mua, Sekretari Amerikan i Shtetit, ka publikuar dje pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më shpifëse një vendim për mua. Nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që të thotë që unë jam i implikuar në një aferë korruptive”, ka thënë ai.

“Ndaj dhe unë kam autorizuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngre një padi kundër Zotit Blinken për shpifje publike në Gjykatën e Parisit”, është shprehur më tej Berisha.

Në këtë adresim për media, Berisha tha se vendimi i DASH ka qenë i papritur për të dhe ka kërkuar që të publikohen prova kundër tij. /Insajderi.com