Kryeministri kërkon që të ushtrohet presion tek Serbia për krimet e luftës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar masakrën e ndodhur në vitin 1999 në Krushë të Rahovecit dhe në Suharekë.

Mustafa ka deklaruar se bota demokratike duhet ta detyrojë Serbinë që t’i dënojë të gjithë kryesit e krimeve.

“Me dhimbje të madhe, përkujtojmë sot dy prej masakrave më të rënda që populli ynë përjetoi 18 vjet më parë. Mbi 240 bashkëqytetarë tanë, fëmijë, gra e burra, u vranë më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit. Ndërkaq, në Suharekë, Familja 50 anëtarëshe Berisha, u masakrua nga forcat serbe”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka thënë se “qytetarët e Kosovës nuk do t’i harrojnë kurrë të gjithë të rënët, sakrifica e të cilëve na mundësoi të jemi të lirë.”

“Bota demokratike, ashtu siç i bombardoi forcat serbe 18 vjet më parë, duhet ta detyrojë shtetin serb, që të dënojë të gjithë kryesit e krimeve, të zbardh fatin e të pagjeturve dhe të kërkojë falje për krimet e panumërta në Kosovë”, është shprehur kryeministri. /Insajderi.com