Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj përplasjes mes policisë dhe banorëve të fshatit Shipashnicë të Kamenicës, lidhur më mbylljen e një shkolle, shkruan Insajderi.
Hoxhaj përmes një reagimi në Facebook ka thënë se këto janë përplasje politike ndërmjet qeverisë së Albin Kurtit dhe kryetarit të Kamenicës, që po ashtu është zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Qeveria e Albin Kurtit ka nisur betejë të dhunshme me kryetarin e Kamenicës që po ashtu u zgjodh nga VV, duke përdorur nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Kamenicë si fushëbetejë për inate e ego të sëmura pushteti”.
Ai ka thënë se në vend që kryeministri e ministrja e Arsimit të ulen me kryetarin e komunës e të gjejnë zgjidhje për hapjen e shkollave në Kamenicë, ata po i përdorin nxënësit për” të krijuar drama para zgjedhjeve lokale”.
Në fshatin Shipashnicë e Poshtme të komunës së Kamenicës, gjatë ditës së sotme ka ndodhur një përplasje mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe banorëve lidhur me shkollën në këtë fshatë e cila ishte mbyllur shkaku i reformave që ndodhën në fushën e arsimit në këtë komunë./Insajderi.com