Vjosa Osmani e ish-presidentët nderojnë Ibrahim Rugovën

Vjosa Osmani e ish-presidentët nderojnë Ibrahim Rugovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me tre ish-presidentët; Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli e Atifete Jahjaga, të hënën bënë homazhe te shtatorja e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Homazhet u bënë me rastin e shënimit të 24 majit-Ditës së Presidentit.

Me këtë rast, presidentja Osmani u shpreh se Rugova “ishte arkitekt i shtetit të Kosovës dhe që ndikoi në bashkimin e mbarë popullit”.

Sipas saj, zgjedhjet e para presidenciale të 24 majit të vitit 1992, shënuan themelimin e institucioneve të para të Kosovës dhe ishin mesazh i qartë i qëllimeve të popullit për liri dhe pavarësi.

“E filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun që e bëri bashkë popullin e Kosovës. Tri dekada më herët qytetarët treguan se cili ishte qëllimi i tyre për shtet të pavarur, ishin zgjedhjet e para që u themeluan institucionet e para”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se Rugova ishte ikonë e pamposhtur e të gjitha kohëve.

“Kjo ditë tregon mundin se si Kosova ka ndërtuar institucionet e veta”.

Ish-presidentja Jahjaga tha se secili nga presidentët që ka udhëhequr me Kosovën ka kontribuar në interes të proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi.

Sipas saj, Rugova e udhëhoqi vendin në periudhën më të rëndë, kur edhe rrezikohej shfarosja e popullit.

Edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli tha se presidenti historik Ibrahim Rugova dha kontribut të madh për Kosovë./Insajderi.com