Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se kjo parti politike ka deponuar një iniciativë ligjore që lidhet me ndryshimin e Ligjit për TVSH-në, njofton Insajderi.
Në një konferencë për media, të mbajtur pas takimit të Kryesisë, Hamza tha se kjo iniciativë do të krijonte hapësirë për të lehtësuar punën e bizneseve.
“Qëllimi është që përmes këtij ligji t’i ofrohen lehtësi sektorit privat. Kalimi i pagesës së TVSH-së në brendi jo në kufi që do të ndikonte në uljen e kostos për biznese. Kjo duhet të ndodhë dhe është dashur të ndodhë edhe më herë”, ka thënë Hamza.
“Ka edhe lehtësi të tjera si rasti i mospagesës së TVHSH për lëndën e parë të prodhuar jashtë Kosovës, librat të lirohen nga pagesa e TVSH-së”, ka shtuar ai.
Në këtë adresim për media, Hamza njoftoi se seanca e radhës plenare në Kuvendin e Kosovës do të mbahet më datë 27 maj, ndërsa pritet të ketë debat për arsimin. /Insajderi.com