Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një person të dyshuar me inicialet E.N. që ishte i përfshirë në rrahjen e një personi ditë më parë në qendrën tregtare “Albi Mall”, njofton Insajderi.
Në njoftim thuhet se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se pasi kishte pranuar informacionin për një incident, i cili kishte ndodhur në qendrën tregtare “Albi Mall”, prokurori kujdestar nga ky departament ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në mënyrë që të sqarohet ky rast në plotëni.
Pas sigurimit të video-incizimit, si dhe pranimit të raportit mjekësor të personit me inicialet A.M., Prokurori i Shtetit, ka autorizuar policinë për ndalimin e të dyshuarit E.N., lidhur me veprën penale të lartcekur.
Ditë më parë është publikuar një video ku shihet një sigurim i qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë duke e rrahur brutalisht një person./Insajderi.com