“Pyetjet e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një praktikë të cilën tani Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar. Për këtë arsye, kërkesa e Presidentes dihet që në fillim se do të shpallet si e papranueshme”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese interpretimin e një neni, përkundër se Kushtetuesja kohë më parë kishte ndaluar një praktikë të tillë të dhënies së përgjigjeve në pyetje kushtetuese.
Madje, gjykata kishte refuzuar të përgjigjej në një pyetje identike, që në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, ia kishte drejtuar.
Bëhet fjalë për interpretimin e Nenit 139, i cili sqaron emërimin e anëtarëve nga partitë parlamentare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Osmani konsideron se “ekziston një paqartësi e dispozitave kushtetuese”, meqë nuk përcaktohet saktë se si ndahen vendet proporcionalisht me madhësinë e grupit parlamentar.
Kjo paraqitësi ka bërë që pretendime për një anëtar më shumë brenda komisionit të kenë edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Partia Demokratike e Kosovës – VV e do të tretin (Gresa Bytyqi-Kelmendi), PDK të dytin (Ilir Gashi).
Pikërisht për këta dy emra Osmani kërkon ndihmë në Kushtetuese, por njohësit e aktit më të lartë juridik të Kosovës, thonë se pyetja është dërguar kot.
“Pyetjet e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një praktikë të cilën tani Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar. Për këtë arsye, kërkesa e Presidentes dihet që në fillim se do të shpallet si e papranueshme”, thotë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi në një përgjigje për Insajderin.
Miftaraj sqaron se “Gjykata Kushtetuese ka vendosur që mos të përgjigjet në pyetjet kushtetuese, por vetëm në rastet kur ka një vendim të kontestuar”.
“Për më tepër, ndryshimi i kësaj praktike është bërë pikërisht në kërkesën e njëjtë që tanimë ka dërguar presidentja”, shton Miftaraj duke u thirrur në shembullin e lartpërmendur të ish-presidentit Thaçi.
Çfarë duhet të bëjë presidentja, sipas ekspertit të drejtësisë, është që të “marr një qëndrim në drejtim të zbatimit të Kushtetutës dhe më pas palët e pakënaqura kanë të drejtë të shfrytëzojnë mjetet juridike”.
Nga zyra e Osmanit nuk kanë pasur përgjigje kur janë pyetur se përse presidentja po kërkon interpretim nga Kushtetuesja në një çështje në të cilën, paraprakisht dihet se refuzon ta komentojë.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, i ka thënë Insajderit se nuk ka komente shtesë dhe janë në pritje të Gjykatës.
Por, nga opozita e kanë një koment. Sipas Betim Gjoshit, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, Osmani po tregohet e anshme politikisht, meqë bëhet fjalë për një deputetet të partisë, me të cilën ajo vetë garoi.
Madje, sipas tij, Osmani edhe “po e shkelë Kushtetutën”.
“Përmes orvatjeve në Kushtetuese, (Osmani) po tenton të na vjedhë përfaqësimin në KQZ, për t’i bërë vend anëtarit të tretë të VV-së, që në këtë rast është bashkëpartiakja e saj”, thotë Gjoshi për Insadjerin.
“Për interes të Qeverisë e ka lënë një vend të zbrazët në KQZ. Kushtetuesja në vitin 2015 ka nxjerrë një akt përmes së cilit ka njoftuar se nuk nxjerrë më interpretime. Presidentja vetëm po e vonon këtë proces”.
Nëse në fund të procesit, në KQZ emërohet anëtari i tretë i VV-së, Gjoshi potencoi se do të përdorin mjetet juridike. Megjithatë shtoi se “vendimet e Kushtetueses janë të pa ankimueshme, por edhe presidentja e di që ajo nuk ofron interpretime për llogari të partive politike”.
Nëse Kushtetuesja nuk pranon ta komentojë situatën, ashtu siç edhe pritet të ndodhë, i takon Osmanit që të vendosë vetë emrin që do të shkojë si anëtari i radhës i Komisionit. Cilësdo parti që nuk i konvenon emërimi, do të mund të vazhdojë ndjekjen e rastit me “mjetet juridike”, që pak a shumë i bie: kërkim i një interpretimi nga Gjykata Kushtetuese, por tashmë si palë e dëmtuar e një vendimi./Insajderi.com