Gërvalla: S’do të ketë konsuj politikë, ambasadorët kthehen më 30 gusht

Gërvalla: S’do të ketë konsuj politikë, ambasadorët kthehen më 30 gusht

Kthimi i 12 ambasadorëve të liruar nga detyra dhe dërgimi i ambasadorëve të rinj në vendet të cilat kanë mbetur pa ambasadorë të Kosovës, do të ndodhë deri më datë 30 gusht.

Kështu ka thënë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila tha se ajo datë është afati i fundit i pranim-dorëzimit të kësaj pozite.

“Kthimi i ambasadorit aktual dhe dërgimi i ambasadorit të ri, duke përfshirë fazën e dorëzimit të ri ka afat deri më 30 gusht”, thotë Gërvalla derisa ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme.

Gjatë raportimit para deputetëve, kryediplomatja Gërvalla, ka deklaruar se në Qeverinë Kurti 2, në të cilën ajo drejton diplomacinë e jashtme, nuk do të ketë konsuj politikë.

Ajo tha se do të përqëndrohen më shumë në diplomatët e karrierës.

“Proporcioni politik, me diplomatë të karrierës nuk do ta tejkalojë 50/50. Minimuni 50% e ambasdorëve tanë do jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politik, nuk ka në Qeverinë tonë. Nocioni ”Konsull Politik” nuk është praktikë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë të tillë. Do të marrim vetëm Ambasadorët. Duke marrë në konsideratë edhe konsujt, atëherë përqindja do të rëndojë më shumë në diplomatët e karrierës sësa në ata politik”, u shpreh Gërvalla.

“Çështja e atashejve kulturorë – Nuk kemi një zgjidhje standarde për secilin vend. Kemi shtete për të cilat nuk kemi nevojë për atashe kulturorë. Secili prej diplomatëve do të jetë i përgatitur si diplomat edhe i ekonomisë së vendit por edhe i kulturës së vendit”, tha më tej ajo.

“Do të kërkojmë zgjidhje individuale duke marrë parasysh vetëm specifikat e atij vendi. Do të përpiqemi që të gjithë personelin diplomatik që e kemi, ta kemi më të përgatitur. Kjo do të jetë një shtrirje më e gjerë”. /Insajderi.com