Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi të hënën se merr përgjegjësi politike për një postim të publikuar në llogarinë e ministrisë në Twitter, si reagim ndaj arrestimit të gazetarit bjellorus, Roman Prostasevich, njofton Insajderi.
Në postimin ku kërkohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian që të veprohej ndaj Rusisë, ministrja është kritikuar për nivelin e gjuhës angleze të përdorur.
Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në të cilin raportoi ministrja, tha se teksti tashmë është përmirësuar.
“E marrë përgjegjësinë politike për atë Tweet. Nuk kam çfarë të zbukuroj. Keni plotësisht të drejtë. Përpjekja për të shkruar reagimin në 270 shkronja, ka shkaktuar një tekst pa lidhëse. Teksti është përmirësuar dhe në të ardhmen nuk do të ndodh asnjëherë”, theksoi Gërvalla./Insajderi.com