Rritet interesimi për vaksinim në Maqedoni të Veriut

Rritet interesimi për vaksinim në Maqedoni të Veriut

Interesimi i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vaksinim kundër Coronavirusit po rritet vazhimisht, njofton Insajderi.

Deri dje, e hënë, 400 mijë e 284 qytetarë kanë shprehur dëshirën për t’u vaksinuar, duke aplikuar në platformën vakcinacija.mk. Ndërsa, 220 mijë e 733 të tjerë e kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës.

Ministri i Shëndetësisë i vendit fqinj, Venko Filipçe, të hënën njoftoi se kanë arritur edhe 10 mijë e 530 doza të vaksinës nga prodhuesi “Pfizer”, prej të cilave pesë mijë e 850 janë nga negociatat e drejtpërdrejta me prodhuesin, ndërsa katër mijë e 680 nga Bashkimi Evropian që janë siguruar nëpërmjet marrëveshjes trepalëshe në kuadër të programit “Team Europe”.

Vaksinimi masiv zhvillohet në disa qytete; në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Kavadar, Shtip, Manastir, Strumicë dhe Ohër.

Ndryshe, ditëve të fundit numri i rasteve të reja me COVID-19 ka shënuar ulje. Me këtë është ulur edhe numri i pacientëve të hospitalizuar edhe rasteve aktive./Insajderi.com