Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që stafi i sistemit gjyqësor të jetë prioritet në procesin e vaksinimit anti-COVID.
Këtë kërkesë KGJK ia ka dërguar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, më datë 6 maj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Siç bëhet e ditur, KGJK e ka arsyetuar kërkesën me faktin se sistemi gjyqësor është i rrezikuar nga infektimi me virusin Covid-19 për shkak të kontakteve të shumta që kanë me palë.
“Mbrojtja e punonjësve përkatësisht vaksinimi është i domosdoshëm, prandaj KGjK ka kërkuar që sistemi gjyqësor të përfshihet në listën e prioriteteve për vaksinim” – thonë nga Këshilli Gjyqësor, të cilët edhe pas rreth një muaji nuk kanë marrë përgjigje nga MSh.
“Lidhur me këtë kërkesë, KGjK ende nuk ka pranuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë” kanë thënë nga KGJK. /Insajderi.com