Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka aprovuar kërkesën e kryetarëve të komunave për heqjen e orës policore si dhe lehtësimin e masave të tjera kundër përhapjes së Coronavirusit.
Pas përfundimit të takimin virtual, kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi në një prononcim për Insajderi-n, tha se këto propozime pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
“Kërkesa e Asociacionit të komunave për heqjen e orës policore dhe kërkesat e tjera për lehtësimin që kanë impakt në zhvillimin ekonomik lokal u morën parasysh nga ministri Vitia dhe këto sugjerime pritet të miratohen në mbledhjen e radhës së Qeverisë”, theksoi Ibrahimi.
Qytetarët aktualisht e kanë të kufizuar lirinë e lëvizjes nga ora 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Sipas njoftimit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri i rasteve aktive me Covid-19 në vend është tre mijë e 303./Insajderi.com