Abdixhiku pas takimit me Kurtin: LDK ka një ofertë për Qeverinë rreth dialogut

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: LDK ka një ofertë për Qeverinë rreth dialogut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se partia të cilën e drejton ka një ofertë për Qeverinë sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media të mbajtur pas këtij takimi, Abdixhiku tha se Kurtit ia ka shtruar një qartësim sa i përket dokumenteve të dorëzuara nga qeveria e kaluar, një kërkesë lidhur me pozicionin politik të Qeverisë që duhet ta prezantojë në Kuvend dhe një ofertë që lidhet me pozicionin e LDK-së të cilën duhet ta trajtojë Kurti në dialogun me palën serbe.

“Kryeministri na njoftoi për qëndrimet e tij mbi procesin e dialogut dhe pritjet e tij, ndërkaq ne bëmë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë. Qartësimi ishte për dokumentet e dorëzuara te kryeministri dhe ne rikonfirmuam edhe një herë që të gjitha dokumentet që i ka pasur qeveria e kaluar janë dorëzuar te kryeministri. Në qoftëse nuk i kanë apo i kanë humbur, mund t’i kërkojnë sërish”, tha ai.

“Bëmë një kërkesë që kishte të bënte me pozicionin politik që kjo qeveri duhet ta ketë e ta prezantojë në këtë Kuvend, pra Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi politik i qeverisë për dialog dhe po e presim një pozicion të tillë, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që ne mendojmë se qeveria e Kosovës duhet ta ketë”, u shpreh më tej Abdixhiku.

“Kryeministri tashmë ka një dokument, pozicionin politik të LDK-së që ne mendojmë se ai duhet ta trajtojë në dialogun në Bruksel. Ky dokument përmban parime që duhet t’i mbrojë Kosova e që janë: diskutimi mbi bazën e vendimit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitetar të Kosovës dhe rendit kushtetues gjithashtu, si dhe rezultati final që duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE dhe në NATO. Përderisa kryeministri i e ka këtë dokument mund ta përdorë si platformë të tij”, ka thënë Abdixhiku.

“Kosova nuk ka nevojë për negociatorë sepse ka Qeverinë”, tha ai derisa u pyet nëse do të marrë pjesë LDK-ja si pjesë përbërëse e negociatave. /Insajderi.com