Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar deklaratën e tij për kriminelët e luftës në Ballkan.
Ai ka thënë se në Bruksel nuk e ka përmendur për herë të parë çështjen e kriminelëve të luftës.
Sipas tij, Serbia e di për kë e ka pasur fjalën, “gjithashtu edhe Brukseli”, duke shtuar se nuk po e dinë pse po lajmërohen disa në Kosovë.
Shefi i qeverisë, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, po ashtu ka kritikuar opozitën për “mungesë të kritikës së mirëfilltë ndaj qeverisë”.
“Unë besoj që kriminelë të luftës nuk ka veç në Serbi, por ka edhe në veri, ka edhe në Bosnjë prandaj nuk kam folur me shtete. Unë këtu shoh një lloj paaftësie për ta bërë kritikën dhe rreziku më i madh i qeverisë sonë është mungesa e kritikës, nuk kemi rrezik tjetër. Kemi problem të madh me ju sepse jeni të paaftë me bo kritikë. Më lejoni ta shprehi ndihmën time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim. Jam i gatshëm t’u jap ide. Unë nuk bëj ofertë pa kërkesë. Por prandaj unë ofroj bashkëpunimin tim që të kërkoni ide për të ma bërë mua kritikën. Me të vërtetë në muajt edhe vitet në vijim rreziku me i madh i qeverisë sime do të jetë mungesa e kritikës”, ka thënë Kurti./Insajderi.com