Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj në nëntor të vitit 2015, transmeton Insajderi.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i Ulët Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së. /Insajderi.com