Haradinaj: Kurti frikësohet se do ta detyrojnë në ndonjë marrëveshje të keqe për Kosovën

Haradinaj: Kurti frikësohet se do ta detyrojnë në ndonjë marrëveshje të keqe për Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, frikësohet se “mund ta detyrojnë ta nënshkruajë ndonjë marrëveshje jo të duhur për Kosovën”.

Sipas tij, kryeministri i vendit, duhet ta ndjekë qasjen e tij që e kishte ndaj bisedimeve me Serbinë.

“Më mirë i kish shku Kurtit ajo që e kam bërë unë. Edhe unë kam pasë frikë nga marrëveshjet e këqija, nga befasitë, por unë kam bërë vetëvendosje, vendosur vetë, punët e Kosovës i kam kryer vetë si ushtrinë, Trepçën, pavarësinë energjetike”, tha Haradinaj në Rubikon.

Ai shtoi se Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq “kanë strategjinë e njëjtë”, për sa i përket dialogut.

Gjithashtu, sipas ish-kryeminsitrit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jenë pjesë e dialogut që nga fillimi.

“Në takim e kam shprehur shqetësimin edhe kërkesën që dialogu pa Amerikën mund të na dalë i keq, më mirë me e pasë Amerikën në dialog prej fillimit dhe jo me pritë që në fund me hy Amerika dhe të ndërhyjë në dialog, pra më mirë të rrugëtojmë bashkë që ta kemi një qëndrueshmëri, që ta kemi një siguri”. /Insajderi.com