Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se gjatë mbrëmjes të së enjtes është ndaluar një oficer korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, pasi që të njëjtit gjatë kontrollit i është gjetur lëndë narkotike, shkruan Insajderi.
Sipas një njoftimi nga ky shërbim, lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes me ç’ rast kanë konfiskuar lëndën narkotike, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë.
“Ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga vendi i punës dhe menjëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore”.
Tutje në njoftim thuhet se asnjëherë nuk do të lejohet të rrezikohen institucionet korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës./Insajderi.com