Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se në takimin e të premtes zgjodhi Ramiz Buzhalën, Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, shkruan Insajderi.
Në një njoftim për media nga Prokuroria e Shtetit, thuhet se ky këshill mori vendim për shpalljen e konkursit për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Më tej, njoftohet se u shqyrtua dhe miratua lista e kandidatëve të përzgjedhur për ndjekjen e programit Master në universitetin Wake Forest në SHBA, program ky i mbështetur nga ambasada amerikane.
“Përfitues të këtij programi për vitin 2021-2022 janë një prokuror nga Prokuroria Speciale dhe një bashkëpunëtore profesionale nga Prokuroria Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Në këtë takim, Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, ka prezantuar raportet e kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës për periudhën janar – mars 2021.
“ Për arsye të skadimit të mandatit të Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Përformancës së Prokurorisë, KPK shpalli konkurs për këtë pozitë si dhe caktoi ushtruesin e detyrës deri në zgjedhjen e Drejtorit të këtij Njësiti”, thuhet me tej.
Po ashtu, KPK mori vendim për avancimin e një prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dy prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj si dhe për transferimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurori në Themelore në Gjakovë./Insajderi.com