Hodaj: Padia ndaj Serbisë për gjenocid do përfshijë persekutime, fshehjet e trupave dhe transportimin e tyre në Serbi

Hodaj: Padia ndaj Serbisë për gjenocid do përfshijë persekutime, fshehjet e trupave dhe transportimin e tyre në Serbi

Avokati kosovar, Taulant Hodaj, thotë se padia që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të ngrisë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj civilëve të pafajshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të përfshihen persekutimi i shqiptarëve, fshehja e trupave dhe transportimi i tyre në Serbi.

Hodaj, në një intervistë për mediumin ‘Al Jazeera’ ka thënë se provat e siguruara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (ICTY), ku vërtetohet se ekzistonte një plan i institucioneve në Serbi për dëbimin sistematik të shqiptarëve nga Kosova, përfshirë fshehjen e trupave dhe transportimin e tyre në Serbi, do jenë pjesë e padisë.

“Unë besoj se provat e siguruara nga ICTY, ku vërtetohet se ekzistonte një plan i institucioneve në Serbi për dëbimin sistematik të shqiptarëve nga Kosova, përfshirë fshehjen e trupave dhe transportimin e tyre në Serbi. Çështje të tilla dhe çështje të tjera të ngjashme përbëjnë bazën për një proces gjyqësor. Ka prova të tjera dhe ngjarje të tjera që do të dokumentohen mirë dhe që kanë të bëjnë me procesin gjyqësor”, ka deklaruar avokati Hodaj.

Hodaj, i cili është pjesë e listës së avokatëve të akredituar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se një padi e tillë nuk duhet të ndërlidhet me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë besoj se kërkimi i drejtësisë dhe ndëshkimi i atyre që kanë kryer krime lufte, përfshirë gjenocidin, nuk duhet të jetë pengesë për faktin se një çështje e tillë do të trajtohet dhe vendoset nga një forum ndërkombëtar, në këtë rast GJND”, ka deklaruar ai në intervistë. /Insajderi.com