BE demanton dokumentin e publikuar pas darkës së liderëve të Ballkanit në Bruksel

BE demanton dokumentin e publikuar pas darkës së liderëve të Ballkanit në Bruksel

Bashkimi Evropian ka mohuar të ketë shkruar dokumentin e publikuar të shtunën në mediat e Kosovës, i cili pretendohej se ishte shkruar pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, i organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-se, Josel Borrell, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se një dokument i tillë nuk është shkruar nga ata, teksa e ka quajtur “falsifikim të plotë”.

“Zakonisht nuk i komentojmë raportet e mediave në lidhje me dokumentet e pretenduara të BE-së, në këtë rast të veçantë ‘dokumenti’ është një falsifikim i plotë dhe diçka e tillë nuk u prodhua kurrë nga BE”, ka thënë Stano në një përgjigje për Klan Kosovën.

Në dokument ndër të tjera thuhej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte mbështetur vazhdimin e mandatit të Misionit EULEX në Prishtinë dhe se dokumenti ishte përpiluar nga Komisioni Evropian pas takimit joformal të liderëve të Ballkanit.

Dokumenti po ashtu pretendonte se Borrell  e përshëndet raportin e Kurtit me Gjykatën Speciale./Insajderi.com