Molliqaj: VV po e kundërshton faljen e gjobave të pandemisë ndaj qytetarëve

Molliqaj: VV po e kundërshton faljen e gjobave të pandemisë ndaj qytetarëve

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i ka reaguar ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se falja e gjobave ndaj qytetarëve përgjatë pandemisë “do t’i dekurajonte ata në zbatimin e ligjit”, shkruan Insajderi.

Molliqaj, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, e ka pyetur Kusari-Lilën se “si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar”.

Tutje, ai ka thënë se kjo kundërshti po bëhet vetëm për faktin që PSD-ja ndërmori iniciativën për peticionin që bën thirrje për faljen e gjobave ndaj qytetarëve, të dënuar konform Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.

“Hipokritët në qeveri duhet t’i ndalin qasjet e tyre selektive. Gjobat e pandemisë janë të padrejta, sepse janë pikërisht qeveritarët ata që i kanë shkelur masat, anipse i kanë përpiluar vetë ato”, ka thënë Molliqaj./Insajderi.com