Apeli ia vërteton Lushtakut dënimin me 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

Apeli ia vërteton Lushtakut dënimin me 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin 2 mijë euro për ish-kryetarin e Skenderajit, Sami Lushtakun, për shkak të kanosjes ndaj avokatit, Gazmend Halitaj.

Ankesa e Lushtakut është refuzuar nga kjo gjykatë, raporton Betimi në Drejtësi.

“Po ashtu as gjendja faktike nuk ka qenë objekt i vlerësimit të kësaj gjykate, se me ankesë nuk mund të kontestohet në kuptim të nenit 283, par.2 të KPPRK-së, meqenëse i akuzuari në shqyrtimin fillestar të datës 28 tetor 2020 e ka pranuar fajësinë dhe kryetari i trupit gjykues e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, prandaj aktgjykimin kjo gjykatë e vlerësoi vetëm në drejtim të pretendimeve ankimore përkitazi me vendimin mbi dënimin”, thuhet në vendim të Apelit.

Tutje, Apeli thotë se është fakt se gjykata e shkallës së parë nuk e ka trajtuar rrethanën, e cila i referohet në ankesë-sjelljen e të dëmtuarit, respektivisht në rrjetin social “’Facebook”- “se i akuzuari ka keqpërdorur 1.4 milion marka, në kohën e luftës”.

“Megjithatë kolegji vlerëson se edhe nën këndvështrimin e kësaj rrethane, duke marrë parasysh rrethanat e tjera të cilat janë vlerësuar në aktgjykimin dënues, sidomos shkalla e përgjegjësisë penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, nuk justifikohet një dënim më i butë”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë. /Insajderi.com