LDK e cilëson Qeverinë Kurti të paaftë në procesin e dialogut

LDK e cilëson Qeverinë Kurti të paaftë në procesin e dialogut

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, procesin e dialogut po e cilëson si “një dështim tjetër të Qeverisë Kurti”, transmeton Insajderi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk po e dëshmon që mund ta drejtojë një dialog të mirëfilltë.

“LDK-ja ka qenë në pozita ta drejtoj dialogun dhe kur e ka drejtuar për aq sa ka qenë në dorën e Kosovës e ka drejtuar më mirë, ndërsa qeveria aktuale VV-ja në kohën kur ishte në opozitë thoshte se do ta bënte më mirë. Në këtë kohë që është në qeveri po edhe në kohën kur ishte herën e parë nuk e ka dëshmuar që mund ta bëjë këtë, madje iu deshën dy muaj që ta bënte një program qeveritar pjesa për politikën e Jashtme e të cilit është shumë e dobët, nuk ka vizion, ka paqartësi, nuk ka plan për njohje të reja dhe as në anëtarësime në organizata të ndryshme”, tha ai për EO.

“LDK-ja është parti institucionaliste, e di që punët e jashtme janë në dorën e qeverisë dhe natyrisht edhe në konsultim me presidencën, ne presim që qeveria që ka marrë detyrën ta drejtojë këtë dialog dhe të mos stagnojë dialogu për fajin e Kosovës sepse status quota i konvenon Serbisë e jo Kosovës, andaj nuk duhet t’i japim në asnjë mënyrë Serbisë alibi që të thotë se nuk po vazhdon dialogu shkaku i Kosovës”, theksoi ai.

Hamiti thotë se në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, kurrsesi nuk bën të preket integriteti territorial e as rregullimi i brendshëm kushtetues.

“Ndërsa ne kemi qëndrimet e qarta si LDK dhe besoj që e ka mundësinë edhe qeveria t’i marrë ato që shtetësia dhe pavarësia e Kosovës është e konfirmuar, madje edhe me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk guxon të preket integriteti territorial e as rregullimi i brendshëm kushtetues, nuk bën të ketë pushtet të nivelit të tretë. Natyrisht ky proces duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellët sepse pa këtë as procesi i dialogut nuk ka kuptim”.

“Kjo është punë që nuk pret shumë, procesi i dialogut, dhe ne nuk guxojmë t’u krijojmë askujt përshtypje se kemi kohë të mjaftueshme. Kjo qeveri ka thënë që nuk e ka prioritet dhe në fakt po u bëhet prioritet, dhe kjo po del që nuk është përgatitur dhe është gabim i madh i kësaj qeverie”, deklaroi ai.

Hamiti thotë se LDK-ja është e gatshme ta ndihmojë Qeverinë për sigurimin e vaksinave, po ashtu edhe në procese tjera.

“T’i japim mësime nuk e kemi të vështirë sa i përket vaksinave, dhe po vazhdojmë t’i japim alternativa, ashtu edhe në politikën e Jashtme, siç ishte takimi i kryetarit të LDK-së dhe kryeministrit Kurti, andaj e përsëris nuk duhet dialogu të stagnojë për shkakun e Kosovës, jemi në dialog me Serbinë, dhe dialog ky që ka zgjatur shumë”, përfundoi ai. /Insajderi.com