Konjufca pret në takim Palmerin

Konjufca pret në takim Palmerin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur të mërkurën në takim Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, shkruan Insajderi.

Në njoftimin e dërguar për media nga Kuvendi, thuhet se Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer e ka uruar kryekuvendarin Konjufca për detyrën e re dhe konsituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe ka konfirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta ndihmuar vendin tonë përgjatë proceseve të mëtejme shtetndërtuese.

“Kryekuvendari Konjufca, pasi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e çmuar në çlirimin dhe rrugëtimin shtetndërtues të Republikës së Kosovës, u zotua për bashkëpunimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, është shkruar më tej.

Po ashtu në komunikatë deklarohet se Konjufca i shprehu mirënjohje të veçantë Palmerit për përfshirjen dhe kontributin e tij në procesin e dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. /Insajderi.com