Hoxhaj: Keqmenaxhimi i Qeverisë me arsimin po ia humbë Kosovës një gjeneratë e kryeministri s’vjen fare në seancë

Hoxhaj: Keqmenaxhimi i Qeverisë me arsimin po ia humbë Kosovës një gjeneratë e kryeministri s’vjen fare në seancë

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në cilësinë e deputetit nga kjo parti, ka kritikuar Qeverinë Kurti, për të cilën thotë se nuk ka mendim politik, as strukturor e as mendim substancial për të menaxhuar arsimin në pandemi, pasi që sipas tij, asgjë nuk thuhet për këtë në programin e qeverisë, njofton Insajderi.

Ai ka pyetur Qeverinë se pas dështimeve në menaxhimin e deritashëm të arsimit në kohë pandemie, cili është plani për të ardhmen afatmesme pasi pandemia ende nuk ka kaluar.

“Ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i pandemisë dhe fillimi i mësimit në distancë, por Kosova ende nuk e ka një platformë te standardizuar për të. A do ta ketë një të tillë, si dhe kur? Në shumë vende të botës, organizimi i procesit mësimor në kushte pandemie është unifikuar. Në Kosovë vazhdon të jetë qasje e shpërndarë në nivel vendi, ku komunat dhe shkollat, përkatësisht mësimdhënësit shfrytëzojnë platforma dhe qasje të ndryshme të mësimdhënies. A keni diskutuar me me komunat, prindërit dhe ekspertët? Cilat janë përgatitjet për vitin e ardhshëm shkollor?”, ka pyetur Hoxhaj.

Si do të menaxhohet testi i arritshmërisë dhe maturës shtetërore në këto rrethana? Cili është plani? Të gjitha këto që i ngrita, flasin për atë që të kemi një plan të qartë dhe një politikë të re arsimore në pandemic. Me këtë ritëm të sjelles së vaksinave, do të kemi një trend afrikan të hapjes, tek në vitin 2024”, tha më tej ai.

Sipas Hoxhajt, në 30 vitet e fundit, Kosova ka humbur tri gjenerata në arsim – rrethanë tragjike që sipas tij, qeveria nuk e kupton. Hoxhaj thotë se kjo dëshmohet më së miri me mungesën e kryemnistrit në seancë.

“Në 30 vitet e fundit, tre herë radhazi na është përsëritur kjo. Në fillim të viteve të 90-ta, derisa kur kaluam dhunshëm në sistem paralel, në periudhën e luftës për shak të luftës më 1998-1999, dhe tash në kohë të pandemisë, 2020-2021. Imagjinoni një qytetar që fillimisht ka humbur hapin në shkollë fillore, pastaj në të mesmen, ndërsa tash, po e humbin hapin edhe fëmijët e tij. Kjo është një rrethanë tragjike për familje dhe një popull, të cilën kjo qeveri nuk po e kupton dhe as që do ta kuptojë. Këtë më së miri e dëshmon mungesa e kryeministrit në seancë sot. Edhe atë ditë kur folëm për humbjen e jetës së qytetarëve në mungesë vaksinash, edhe sot kur po flasim për humbjen e gjeneratave në arsim, kryministri mungon”, tha Hoxhaj. /Insajderi.com