Ndryshe nga ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, që u shpreh i pakënaqur me propozimin e partisë për kryetar të Prishtinës, anëtarët e Kryesisë së këtij subjekti, mendojnë se Përparim Ramën do ta votojnë edhe votuesit e partive të tjera.
Kështu shprehet për Gazetën Online Insajderi, Hykmete Bajrami nga LDK-ja, e cila thotë se mbështetja për Ramën fillon nga lidershipi i partisë, strukturat partiake e gjerë te banorët e Prishtinës, pasi që i njëjti është figurë që tejkalon kornizat partiake.
Deputetja e LDK-së beson se Rama do të dalë bindshëm fitues në kryeqytet, pasi që “profili i tij është profil i një kandidati që do ta dëshironin edhe shumë qytete në Evropë”.
“Përparimi e ka mbështetjen e lidershipit të partisë, të strukturave partiake dhe do të gjejë përkrahje të banorët e Prishtinës. Përparimin do ta votojnë edhe votuesit e partive tjera pasi është profil që tejkalon kornizat partiake”, ka thënë më tej ajo.
Mendim të njëjtë me Bajramin ndan edhe Kryetarja e Forumit të Gruas në këtë parti, Lirije Kajtazi, e cila thotë se Prishtina ka nevojë për njerëz “që nuk i hedhin hi syve anëtarësisë së LDK-së dhe qytetarëve me flamurin e ‘ngritur’ Dardan dhe kombëtar, gojën plot rugovizëm, e nuk ngurojnë ta godasin pas shpine partinë për të përfituar personalisht”.
Ndonëse qasja e Ramës mori kritika të shumta në publik, Kajtazi thotë se është pikërisht qasja e tij e drejtë për të qeverisur me kryeqytetin, ajo që e veshë atë komplet me petkun e LDK-së.
“Përtej një deklarate, zoti Rama ishte i drejtëpërdrejtë, duke thënë se nuk ka pasur aktivizëm partiak dhe nuk ka qenë pjesë e strukturave, por e gjithë intervista e tij e mbrëmshme ka reflektuar frymë dhe platëformë të LDK, udhëheqje dhe menaxhim të qendrës së djathtë”, tha më tej Kajtazi për redaksinë.
Ajo beson se ky orientim dhe përgatitja profesionale, virtytet morale e kombëtare të Ramës reflektojnë atributet e LDK-së dhe janë të mjaftueshme për të përfaqësuar atë.
Drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për 11 vjet rresht dhe për gjashtë vjet të tjera kryetar i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, në një intervistë për Gazetën Online Insajderi tha se ende nuk e ka kuptuar se cila ka qenë strategjia e Kryesisë së LDK-së për të vënë në krye të kandidaturës për Kryetar të Prishtinës, një person që mburret se është apartiak dhe nuk mburret që përfaqëson këtë subjekt politik.
Këtë deklaratë, Mustafa e dha pasi i propozuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, është deklaruar se është kandidat apartiak dhe se punën e kryetarit të komunës e sheh më shumë si menaxhim.
Me këtë rast, ai preferon që emra të njohur të cilët janë të lidhur ngushtë me partinë, të shqyrtoheshin me kohë në Kryesi për mandatar të LDK në Prishtinë.
“Kryetari i Prishtinës nuk është vetëm menaxher; para së gjithash është politikan. Është njeri që zbaton orientimet politike të LDK-së në drejtimin e kryeqytetit. Prandaj është kandidat i partisë, jo i bizneseve të caktuara apo i shoqërisë civile. Unë do të preferoja njerëz të LDK-së, si psh. Besnik Berisha, Arban Abrashi, Vlora Dumoshi, Besnik Krasniqi…. ka shumë; secili i përgatitur dhe i lidhur me LDK-në. Sigurisht se asnjëri nga këta nuk do të mburrej se është apartiak, por do të mburrej se është LDK”, ka thënë Mustafa.
Arkitekti Përpari Rama, i cili ditë më parë është prezantuar si kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës, nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka treguar se politika për të është fushë sekondare, dhe se punën e kryetarit komunal e sheh më shumë si menaxhim – gjë që për të është primar.
“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam apartiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”, ka thënë Rama në një intervistë televizive në ‘KK’. /Insajderi.com