MPJ e Greqisë për Insajderin: Kosovën nuk e njohim, por ju mbështesim për vizat

MPJ e Greqisë për Insajderin: Kosovën nuk e njohim, por ju mbështesim për vizat

Një ditë para se kryediplomati grek, Nikos Dendias, të vizitojë Prishtinën për t’u takuar me liderë institucionalë – Athina zyrtare ka bërë të qartë se pozicioni i saj nuk ndryshon; s’ka njohje, por ka vazhdim të konstruktivitetit në raport me Kosovën.

Ministria e Jashtme e Greqisë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, bëri të ditur se mbështetësin liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Greqia po e mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst po mbështet edhe liberalizimin e vizave. Greqia po kontribuon gjithashtu një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të Forcave Helene në KFOR “, thuhet në përgjigje.

Vizita e ministrit të jashtëm grek vjen në kuadër të vendosjes së kontakteve me qeverinë e re

Për këtë Dendias do të takohet të premten me homologen e tij, Donika Gërvalla si dhe me kryeministrin, Albin Kurtin.

Ministria që Gërvalla drejton në një përgjigje dhënë Gazetës, theksuan rëndësinë që kanë për Kosovën raportet me Greqinë.

“Kosova dhe Greqia kanë tashmë marrëdhënie të mira bilaterale. Republika e Kosovës është shumë e interesuar të thellojë bashkëpunimin ndërinstitucional me Greqinë. Kosova është e përkushtuar për forcimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen dhe mundësisht finalizimin e tij me njohjen nga Greqia, si shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”.

Madje, Gërvalla ka marrë ftesë që ta vizitojë kryeqytetin grek – në një përpjekje për të rritur bashkëpunim Prishtinë-Athinë.

Ky bashkëpunim përfshinë më shumë sferën tregtare ndërmjet dy vendeve.

Sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2020, 4.2 për qind e produkteve që importohen në Kosovë janë nga Greqia – ndërsa 0.9 për qind e eksporteve të kompanive kosovare shkojnë në shtetin helen.

Për këtë kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, tha se ka shumë hapësirë që të përmirësohet bashkëpunimi me Greqinë në fushën e ekonomisë.

“Raportet tona me Greqinë janë shumë të mira, sigurisht ka hapësira që të bashkëpunohet në shumë fusha”, pohoi Rukiqi për Insajderin.

Për të rritur fluksin e shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve, Greqia ka një zyre ndërlidhëse në Prishtinë – e themeluar në vitin 2019.

Vendi i cili është në NATO prej vitit 1952 dhe në Bashkimin Evropian që nga 1981, nuk e ka penguar asnjëherë procesin integrues të Kosovës.

Sikur Greqia, në Bashkimin Evropian janë edhe katër shtete jonjohëse –  Spanja, Rumania, Sllovakia e Qipro.

Përkundër se nuk e njohin Kosovën, disa prej tyre angazhohen që të ketë “një zgjidhje” ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Dy njerëz që do të merren me ndërmjetësimin e bisedave Kurti-Vuçiq në tyrezën e Brukselit, Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak – vinë nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën; Spanja dhe Sllovakia.

Madje, Sllovakia po raportohet në media ndërkombëtare të jetë përfshirë në një “non-paper” të ri që kërkon “mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor” si të tërë dhe “angazhim e gjithë rajonit në dialog”.

Në atë “non-paper” janë të përfshirë edhe Austria, Polonia, Hungaria e Çekia.

Por, përpos këtij “non-paper”, ka edhe versione të tjera – siç është ai “francezo-gjerman”.

Sipas këtij plani, “Kosova formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa merr viza dhe njohje nga Greqia”.

Athina zyrtare nuk ka dhënë përgjigje nëse do të përfshihet në këtë “pazar diplomatik”.

Por, mediat serbe raportonin se “Administrata Biden po ushtron presion mbi Athinën që ta njohin Kosovën”.

Greqia e Kosova nuk i mohojnë marrëdhëniet e mira – në raportin mes dy vendeve mungon veç një shkresë njohëse.

Komunikimet, tregtia e ekonomia rrjedhin vazhdueshëm në mes dy shteteve ballkanike. /Insajderi.com