Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur pakënaqësi lidhur me mosmiratimin e rezolutës për arsim të propozuar nga PDK-ja dhe “keqmenaxhimin e sistemit arsimor në kohën e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës”, përcjell Insajderi.
Përmes një konference për media, Deliu-Kodra ka thënë se një iniciativë e tillë do të duhej të trajtohej nga Qeveria dhe jo të kritikohej opozita, “që ka kërkuar të diskutohet në Kuvend për sfidat e arsimit në pandemi”.
“Diskutuam për sfidat e shënuara përgjatë kësaj periudhe dhe evidentuam disa nga masat dhe veprimet emergjente që duhet ti marrë kjo qeveri në raport me 450 mijë nxënës, mbi 100 mijë studentë dhe mbi 30 mijë mësimdhënës. Nëse faza e parë e pandemisë kishte shumë të panjohura në Qeverinë Kurti 1, ne si opozitë treguam mirëkuptimin e nevojshëm dhe mbështetëm edhe ato pak masa në menaxhimin e situatës. Megjithatë sot pandemia nuk është diçka e panjohur e as pasojat e saj. Secila familje kosovare është ballafaquar me sfidën e mësimit në distancë si pasojë e COVID-19”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra tutje ka theksuar se Qeveria Kurti duhet t’u japë përgjigje më shumë se 30 mijë nxënësve dhe familjeve të cilëve sipas saj, nuk arriti t’u siguroj çasje në mësimin online dhe t’u sigurojë pajisje elektronike nxënësve në nevojë.
Deliu Kodra ka theksuar se “PDK nuk do t’i ndalë përpjekjet dhe angazhimin për t’i mbështetur nxënësit dhe mësimdhënësit kosovarë edhe në aspektin e përmirësimit të cilësisë së arsimit, por edhe në përmirësimin e kushteve të tyre”./Insajderi.com