U pretendua se kryeministri slloven, Janez Jansa, ka dërguar te Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel një dokument jozyrtar "Non paper", nga Sekretariati i Këshillit Evropian pohojnë se posedojnë një dokument të kësaj fushe.
Autori i tekstit për “Non-paper”-in që po mbahet “i mbyllur” në Këshillin e Bashkimit Evropian, Herwig Höller, ka treguar në detaje se si erdhi deri te shkrimi për dokumentin jozyrtar që po të publikohej “do të rrezikonte marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Höller ka sqaruar për Gazetën Online Insajderi se artikulli i tij nisi duke u bazuar në raportimet e mediave për “Non-paper”-in që pretendohej se ishte dërguar nga Kryeministri slloven, Janez Jansa, te Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.
“Unë i shkrova Sekretariatit të Përgjithshëm një kërkesë për liri të informacionit (Rregullorja 1049/2001) dhe u kërkova atyre që të siguronin të gjitha dokumentet në dispozicion të tyre që i referohen këtij ‘Non-paper’-i”, tha Höller për redaksinë.
Ai më tej tregoi se i kërkuan kohë për përgjigje, për çka i priti më shumë se 15 ditë, dhe kur iu përgjigjën, nga Sekretariati i Këshillit Evropian treguan se kanë një dokument që ka të bëjë me kërkesën e tij, por kanë refuzuar ta ndajnë atë.
“Pasi kërkuan një zgjatje të afatit (unë duhej të prisja për më shumë 15 ditë) ata u përgjigjën javën e kaluar, se ata kanë një dokument që bie brenda fushës së kërkesës sime. Por refuzoi ta sigurojë atë për arsyen e përmendur”, ka treguar gazetari i Agjencisë Austriake të Lajmeve (APA).
Insajderi ka siguruar edhe email-dokumentin që dëshmon përgjigjen e dhënë nga Sekretariati i Këshillit të BE-së.
“Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit ka qenë në gjendje të identifikojë vetëm një dokument që bie brenda fushës së saj”, thuhet në një pjesë të përgjigjes së këtij institucioni.
“Pas ekzaminimit të kujdesshëm, me keqardhje ju informoj se qasja në këtë dokument nuk mund të jepet, pasi që kërkesa e tillë bie qartë në përjashtimin e parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 4 (1) (a) të Rregullores (KE) Nr. 1049/2001, sipas së cilës: ‘[t] institucionet do të refuzojnë qasjen në a dokument ku zbulimi do të minonte mbrojtjen e (…) interesit publik në lidhje me (theksimi i shtuar), veçanërisht ‘marrëdhëniet ndërkombëtare’”.
Nga Sekretariati i Këshillit Evropian thonë për redaksinë se “nuk ka asnjë koment për të ndarë në këtë fazë”, ndërsa nga Zyrën e Bashkimit Evropian thonë se nuk iu takon atyre që të komentojnë lidhur me çështjet që prekin Këshillin – si institucion i ndryshëm nga ta.
“Meqenëse unë jam zëdhënësi i Komisionit Evropian dhe i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), nuk më takon mua të komentoj raportet e mediave në lidhje me Këshillin, i cili është një institucion i ndryshëm”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Insajderin.
Ditë më parë, ‘APA’ ka raportuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkimit Evropian po mban “të mbyllur” një dokument jozyrtar “Non-paper”, në të cilin propozohen ndryshimet e kufijve në Ballkanin Perëndimor, ndërsa publikimi i këtij dokumenti do të përbënte rrezik për marëdhëniet ndërkombëtare.
Ky “Non-paper” ka të bëjë me atë se çfarë është raportuar javë më parë, se kryeministri slloven ka propozuar një ndryshim të ri të kufijve në Ballkan.
Sllovenia do të marrë presidencën e BE më 1 korrik dhe ka njoftuar se dëshiron t’i kushtojë vëmendje të veçantë afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. /Insajderi.com