Policia aksion në Ferizaj: Ndalohen 23 lëmoshëkërkues, prej tyre edhe nga Shqipëria

Policia aksion në Ferizaj: Ndalohen 23 lëmoshëkërkues, prej tyre edhe nga Shqipëria

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj sot ka nisur një aksion të planifikuar për të ndaluar lëmoshëkërkuesit në qytetin e Ferizajt, shkruan Insajderi.

Në njoftimin e dërguar për media është thënë se në kuadër të këtij aksioni, policia ka ndaluar 23 persona, prej tyre 14 persona të moshës madhore dhe nëntë fëmijë, ( 15 shtetas të Republikës Shqipërisë dhe tetë shtetas të Republikës së Kosovës).

“Me këtë rast, policia ka shqiptuar 12 fletëparaqitje të parapara në bazë të dispozitave ndëshkimore të Ligjit për Ruajtjen e Rendit dhe Qetësisë Publike”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se ky aksion i policisë është bërë në koordinim dhe përkrahje edhe të Policisë Kufitare –Sektori i Migrimit, Qendrës për Punë Sociale të Ferizajt dhe Gjykatës Themelore të Ferizajt – Divizioni i Kundërvajtjes.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aksionin për parandalimin e dukurisë së kërkimit të lëmoshës në qytetin e Ferizajt”, është shkruar në njoftim./Insajderi.com