Haxhiu e quan Ministrin Sveçla dezertor

Haxhiu e quan Ministrin Sveçla dezertor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka quajtur dezertor ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa ka folur për pjesëmarrjen e këtij të fundit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Insajderi.

Sipas Haxhiut, Sveçla ka qenë pjesëtar i UÇK-së në gusht të vitit 1998 në Klinë, ndërsa në shtator të po këtij viti ka ikur.

“E njoh unë sa ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Ai ka qenë në zonën ku kam qenë unë. Xhelal Sveçla është dezertor. Ai ka qenë në gusht të ’98-ës, në pikën te Berant në Klinë të Epërm, edhe në shtator ka ikë. Ligji për dezertor e përcakton se s’mund ta ketë statusin e veteranit”, ka thënë Haxhiu, raporton ‘KK’.

Këtë deklaratë deputeti I PDK-së e dha derisa komentoi reagimet e Sveçlës rreth rastit të arrestimit të ish-kryetarit të OVL-UÇK’së, Faik Fazliu, për çka tha se deklaratat e tij janë shqetësuese.

“Duket sipas deklaratave edhe të vet Faik Fazliut, që edhe në stacion të policisë ka pasur kërcënime se ‘Çka lyp ti në Prizren?’. Për mua më shqetësuese bën deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme, [Xhelal Sveçla] apo kryepolicit të Kosovës, që invalidin e luftës e parafrazon si të fortë”, tha Haxhiu.

“Për këtë pushtet, për Lëvizjen Vetëvendosje, invalidi i luftës nuk është person i cili ka sakrifikuar gjymtyrët e trupit për lirinë e atdheut. Por, është mendësi apo koncept që invalidi i luftës është i forti”, shtoi ai.

Haxhiu nuk la pa përmendur edhe reagimin e bashkëshortit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për të cilin ka shpresuar se reagimin e tij e ka shkruar dikush tjetër në profilin e tij.

”Një reagim edhe më skandaloz ishte, reagimi i burrit të ministrit të Drejtësisë. Besoj shumë që atë reagim nuk e ka bërë burri i ministres, por e ka shkruar dikush në emër të tij, por dikush nga byroja politike e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka përfunduar Haxhiu. /Insajderi.com