Një debat mbi Kushtetutën e Serbisë, ku Kosova vazhdon të jetë pjesë e territorit të saj, ka ndodhur midis deputetit shqiptar të Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, transmeton Insajderi.
Derisa Kamberi ka deklaruar se ai e kundërshton ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij, ai përmendi si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila e përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në fjalimin e tij, gjatë debatit në parlament në agjendën e të cilit është Propozimi për ndryshimin e Kushtetutës, Kamberi tha se nuk ka dyshim që Kushtetuta duhet të ndryshohet, dhe se ka shumë argumente për ndryshimin e të gjithë Kushtetutës, dhe një nga ato janë se thuhet se në nenin ”1, Serbia përcaktohet si një shtet i popullit serb”, i cili, sipas mendimit të tij, është problematik nga aspekti i pakicave.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Bërnabiq, e cila i tha deputetit shqiptar se është gabim t’i referohet Kushtetutës së Kosovës në Kuvendin e Serbisë.
Shefja e ekzekutivit serb këtë deklaratë të saj e arsyetoi me fjalët se “ai është anëtar i parlamentit të një vendi siç tha ajo që e konsideron ‘Kosovën dhe Metohinë’ territorin e saj dhe duhet ta respektojë atë”, raporton Tanjug. /Insajderi.com