Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përmbyllur vizitën e tij njëditore në Tiranë me pritjen nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, njofton Insajderi.
Në konferencën për media të mbajtur pas takimit Lulzim Bashën, Konjufca tha se qëndrimet e këtij të fundit janë të rëndësishme dhe do t’i ndihmojnë Kosovës për proceset e ardhshme politike.
“Më erdhi mirë kur i dëgjova qëndrimet e PD-së për sfidat të cilat e presin Kosovën në të ardhmen, veçanërisht në dialogun me Serbinë, në të cilën Kosova po përballet me qëllimet e Serbisë, të cilat rezultatit përfundimtar duan ta kenë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një etniteti territorial serb brenda Kosovës dhe kontrolluar nga Beograd, duke e hapur edhe planin e Ahtisarit. Më gëzoj shumë fakti që qëndrimet e PD-së janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës të cilat i shpjegoj edhe kryetari Basha. Këto na ndihmojmë në pozicionimin e Kosovës në proceset e ardhshme, e edhe në dialogun me Serbinë, por edhe në sfidat e integrimeve evropiane. Vetëm duke pasur një pozicion unik, të përbashkët të dy shtetet tona mund të kenë suksese”, tha Konjufca.
Ndërsa, lideri i PD-së, Lulzim Basha tha se do të qëndrojnë krah për krah me Kosovën karshi sfidave që e presin.
“Në qëndrimin krah për krah me institucionet e Kosovës për përballje ne sfidave të tjera, ku për PD dhe mua personalisht mbetet prioritet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe përfundimi me sukses i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë të këtyre dy shteteve, si një investim i domosdoshëm për të çimentuar stabilitetin dhe orientimin euro-atlantik të rajonit tonë”, theksoi Basha. /Insajderi.com