Franca zotohet se do ta përkrahë integrimin e Kosovës në BE dhe dialogun me Serbinë

Franca zotohet se do ta përkrahë integrimin e Kosovës në BE dhe dialogun me Serbinë

Ambasada e Francës në Kosovë do të vazhdojë të përkrahë përgatitjet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e ri të dialogut me Serbinë, përcjell Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, në takimin që ka zhvilluar të hënën me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

“Përfaqësuesit e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) prezantuan misionet dhe punën e këtij institucioni, i cili së fundmi ka filluar të operojë edhe në Ballkanin Perëndimor. AFD ka për qëllim përkrahjen e Ballkanit Perëndimor në integrimin rajonal dhe në BE, rritjen ekonomike si dhe fuqizimin e shoqërisë përmes zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas Hautbergue, kjo agjenci ka për synim investimin deri në​ 400 milionë euro në rajon deri në fund të këtij viti”, thuhet në kumtesë.

Tutje, bëhet e ditur se të dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se programi qeveritar dhe prioritetet e AFD-së kanë shumë pika të përbashkëta, gjë që krijon mundësi të mëdha bashkëpunimi mes të dy palëve në të ardhmen e afërt./Insajderi.com