Qeveria gjermane ka dhuruar donacionin e radhës për Forcat e Sigurisë së Kosovës, ceremonia e prezantimit të të cilit u bë sot në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, njofton Insajderi.
Ky donacion përmban laboratorin e gjuhës gjermane dhe sistemin e frenimit të automjeteve, si dhe trajnimin dhe certifikimin e personelit për këtë sistem që ka vlerë të përgjithshme prej 210 mijë euro.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për shtetin gjerman.
“Bashkëpunimi me Gjermaninë si një ndër partnerët kryesor në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve do të rritet edhe më tej në fushat e interesit të përbashkët”, ka thënë Mehaj.
Ndërkaq Ambasadori i Gjermanisë Rohde, ka thënë se bashkëpunimi në mes dy ministrive do të thellohet edhe më tej si dhe mbështetja nga shteti gjerman do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Donacioni përkatës përmban laboratorin e gjuhës gjermane dhe sistemin e frenimit të automjeteve si dhe trajnimin dhe certifikimin e personelit për këtë sistem me vlerën e përgjithshme prej 210 mijë euro. Kursi në gjuhën gjermane, që zhvillohet prej vitit 2017, me këtë laborator prej tani do të zhvillohet në kushte bashkëkohore dhe do të mundësojë përgatitjen më të efektshme të stafit gjermano-folës të FSK-së. Gjithashtu pajisjet e sistemit të frenimit do të mundësojnë flotë të sigurte dhe efektive të automjeteve të FSK-së”, thuhet në kumtesë. /Insajderi.com