Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të së premtes ku është thirrur për të raportuar rreth procesit të dialogut me Serbinë, ka kritikuar qeveritë e kaluara për siç ka thënë ai, qasjen e gabuar në këtë proces, njofton Insajderi.
Fjalimin e tij Kurti e ka filluar me kritika për përmbajtjet e raporteve për dialogun të viteve të kaluara.
Ai ka deklaruar se në raportet e dialogut të vitit 2014-2018 gjenden formulime si “Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës”.
“Në raportin e Qeverisë për dialogun e Brukselit të viteve 2014-2018 dorëzuar në qeveri në vitin 2018 dhe në raportimet periodike 2015-2017, po citoj: Është me rëndësi të theksohet se në të gjitha fushat ku janë arritur marrëveshjet e Brukselit, Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës, sepse marrëveshjet janë bazuar në juridiksionet e veçanta të secilit shtet dhe kanë qenë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, është shprehur Kurti para deputetëve.
Shefi i qeverisë tutje ka kritikuar Bashkimin Evropain, duke thënë se presioni duhet të jetë mbi Serbinë, e jo mbi Kosovën./Insajderi.com