PSD: Heshtja për liturgjinë, parapërgatitje për themelimin e Asociacionit

PSD: Heshtja për liturgjinë, parapërgatitje për themelimin e Asociacionit

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, është deklaruar rreth aksionit të sotëm të zhvilluar te Kisha Ortodokse Serbe, ku dje është mbajtur një liturgji, transmeton Insajderi.

Në ‘Info Magazinë’ të Klan Kosovës, Kuçi tha se institucionet e vendit heshtën ndaj kësaj ngjarje, derisa reagimi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, sipas saj, ishte i vonuar.

“Ne si PSD shënuam në muret e Kishës Ortodokse ‘Simboli i shovinizmit bëhet faltore. E bekoi Albin Kurti’. Dje kjo kishë pa hyrë shumë në historikun se çka simbolizon kjo kishë, kur është ndërtuar, në çfarë baze, ne duke e bërë këtë diskutim më të gjerë kemi vendosur që ta shprehim pakënaqësinë tonë rreth asaj çfarë ndodhi dje në Kosovë – përkatësisht në atë kishë që është në oborrin e Kampusit të UP-së e cila si tokë, në vitet 60-70, i ishte dhënë Kampusit Unviersitar dhe pas suprimimit të autonomisë së Kosovës (1989-1991) kur edhe në krye të UP-së është vendosur një serb i cili i ka dhënë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë katër hektarë nga kjo pjesë e tokës që i ka takuar Kampusit Universitar”, tha ajo.

“Në ceremoninë e inaugurimit në vitin 1991 ka qenë pjesëmarrës Arkani. E dimë edhe që në vitin 1999 kur forcat e NATO-s kanë bombarduar qarqet serbe janë ndaluar punimet në këtë Kishë Ortodokse dhe e kemi një moment të ri nga viti 1999 që dje ishte hera e parë që kjo kishë u përdor. Kishat ortodokse nuk emërohen si kisha nëse nuk ka proces ose solemnitet siç ndodhi dje. Objekti i papërfunduar nuk ka qenë duke u përdor deri dje”.

Kuçi shton se heshtja e institucioneve ndaj kësaj ceremonie fetare në Kishën Ortodokse Serbe në oborrin e Kampusit të UP-së është parapërgatitje për themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Kjo ngjarje paraqet rrezikshmëri të lartë për vendin nëse nuk është ditur se po mbahet kjo meshë. Nëse është ditur që do të mbahet dhe është lejuar në një formë është me ia pranu kishës në një farë forme kompetencat shtesë që janë vazhdimësi e dialogut dhe Asociacionit që po pretendon të bëjë Kurti. Kemi një moment ku i gjithë zinxhiri shtetëror ka dështuar nëse nuk është ditur se po mbahet një liturgji. Kjo heshtje ishte parapërgatitje për një dialog i cili ka për tendencë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të zgjeruara”. /Insajderi.com