Aksionin simbolik të Partisë Socialdemokrate – parti jo parlamentare në Kosovë – Kisha Serbe në Kosovë është munduar ta paraqesë si ndërhyrje të institucioneve të Kosovës dhe pengim të së drejtës fetare.
Pas liturgjisë në objektin ilegal në kampusin e Universitetit në strukturën që ishte ndërtuar në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, PSD-ja ndërmori një aksion simbolik ku me ngjyrë në muret e objektit shkruan “Simboli i Shovinizmit bëhet foltore: Bekoi Albin Kurtin”.
Këtë aksion Kisha Serbe përmes llogarisë në Twitter me emër “Manastiri i Deçanit” e ka shpërndarë duke shkruar se këto janë aksione që destabilizojnë vendin dhe pengojnë ushtrimin e të drejtës fetare.
“Dhunimi i lirisë së religjionit, sundimit të ligjit, pengimit të vendimeve ligjore dhe gjuha e urrejtjes nga institucionet e shqiptarëve të Kosovës seriozisht është duke e destabilizuar situatën dhe po i dëmton raportet ndër fetare”, thuhet në cicërimin e kishës.
Por, institucionet e Kosovës në ditën kur u mbajt liturgjia as nuk kanë reaguar fare. Madje vetë aksioni i PSD-së ishte si revoltë nga mos-ndërhyrja e Qeverisë.
Vetëm mbrëmë vonë, shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, doli me disa twitt-a ku shkruante se liturgjia e mbajtur ishte provokim i Qeverisë së Serbisë dhe jo e kundërta.