“Gjithçka është duke u dokumentuar që të paditet Serbia për gjenocid”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin qendror për shënimin e Ditës së Çlirimit, në fshatin Poklek të Drenasit.
Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer para 22 vitesh ndaj shqiptarëve, pohoi Kurti.
“Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë luftë janë dokumentuar e po dokumentohen”, ka thënë Kurti.
Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur se Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur urdhërohej kryerja e masakrave në Kosovë.
“Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera”.
Në Poklek, pos Kurtit, pjesëmarrës kanë qenë edhe presidentja, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.