Prizreni përuron Muzeun e Dëshmorëve, por me gabime në drejtshkrim

Prizreni përuron Muzeun e Dëshmorëve, por me gabime në drejtshkrim

Komuna e Prizrenit të shtunën ka përuruar Muzeun e Dëshmorëve, ku do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

Megjithatë, ajo që ka rënë më shumë në sy nga ky investim është gabimi drejtshkrimor, sepse është shkruar “Muzeu i Dëshmoreve”, që nënkupton se bëhet fjalë vetëm për gjininë femërore.

Përveç kësaj, gabim është bërë edhe në përshkrimin anglisht. Siç shihet në fotografinë e publikuar nga vetë Haskuka, është shkruar “Martys” në vend të “Martyrs”, pra që në gjuhën shqipe përkthehet dëshmorët.

Për këto gabime ka pasur reagime të shumta në rrjetin social Facebook, ku komentuesit kanë kritikuar komunën për mungesë të seriozitetit.

Kryetari Mytaher Haskuka ndër tjera ka thënë se ky muze duhet të plotësohet vazhdimisht, në mënyrë që ta dokumentojë në mënyrën më të mirë luftën e UÇK-së./Insajderi.com