Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, paralajmëroi dakordim për Asociacionin në marrëveshjen finale mes dy vendeve.
Sipas saj, për këtë asesi nuk duhet të ndiqet modeli i Republikës Srpska në Bosnje.
“Do të ketë diçka për Asociacionin për pakicat serbe, por si do të draftohet dhe si do të duket, cilat do të jenë kompetencat e tij ekzekutive, po mendoj, çfarë lloj fuqie ekzekutive mund të ketë dhe natyrisht që nuk duhet të jetë asgjë si Republika Serbe në Bosnje. Prandaj, mendoj se shumë forca diplomatike duhet të kalojnë nëpër të gjitha pikat nga Plani i Ahtisaarit dhe atëherë Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë vetëm një çështje”, deklaroi von Cramon.
Ajo shtoi se “e kuptoj pse kryeministri Kurti nuk është i gatshëm që në këtë pikë të flas vetëm për këtë çështje dhe e ndaj pozitën e tij se duhet të presim dhe të shohim se çka do të ketë në pako dhe atëherë do të vendosim se si do ta trajtojmë këtë pikë”.
Sa i përket liberalizimit të vizave, von Cramon tha se nuk e di pse Franca po e mban të bllokuar këtë process, derisa shtoi se Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara.
“Jam lodhur dhe sëmurë duke folur për këtë. Secilën herë po e përsëris vetën. Unë e ndaj frustrimin me ju, nuk kam ide pse Franca po e bën këtë dhe po e mban ende të bllokuar liberalizimin e vizave në Këshill. Kështu që unë vetëm mund të apeloj tek kolegët e mi francezë, te presidenti francez se kërkesat teknike janë përmbushur nga ana e Kosovës dhe tani ju takon vendeve anëtare të Këshillit, shumicës të vendeve anëtare që të japin dritën e gjelbër. Por, në anën tjetër patjetër që ka çështje të politikës së brendshme që luajnë rol të rëndësishëm te Franca, si krimi i organizuar dhe korrupsioni. Sa më shumë që Kosova lufton ndaj këtyre çështjeve të brendshme, është aq më mirë dhe më shpresëdhënëse për t’i bërë presion Francës”, përfundoi ajo në një intervistë për KP.
Sipas saj, nëse liberalizohen vizat për Kosovën, atëherë njerëzit do të pranojnë më lehtë kompromiset që mund të dalin nga marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, von Cramon foli edhe për idenë e ndryshimit të kufijve, të cilën ajo e quajti toksike, andaj nuk mund të ketë debat për të.
“Absolutisht e ndaj perspektivën e njerëzve se ndryshimi i kufijve është toksik dhe nuk mund të ketë debat për të. Ai do ta dëmtonte çdokënd në rajon. Ne patëm një debat të ngjashëm për Bosnjën prandaj duhet të distancohemi dhe ta lëmë pas atë çështje. E kam përmendur se çështja e personave të zhdukur është kruciale dhe e dimë se ka pasur disa arritje për këtë”, potencoi ajo./Insajderi.com