Fotografitë që qytetarët i shpërndajnë në rrjetet sociale po ndihmojnë Policinë për gjobitje

Fotografitë që qytetarët i shpërndajnë në rrjetet sociale po ndihmojnë Policinë për gjobitje

Policia e Kosovës ka deklaruar se bashkëpunimi aktiv i qytetarëve dhe mediave në parandalimin e kundërvajtjeve në trafik, ka për qëllim krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët e vendit dhe krijimin e një lëvizje të lirë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, njofton Insajderi.

Kështu thonë nga PK në një njoftim pasi qytetarët po fotografojnë shoferët që thyejnë rregullat në komunikacion e më pas ato pamje po shpërndahen në rrjetet sociale dhe po dërgohen në këtë institucion.

Reagimi qytetar ka bërë që policia pa qenë në vendngjarje të reagojë dhe t’i gjobis shkelesit e rregullave të trafikut.

“Aksidentet në trafik reduktohen kur ne të gjithë jemi më vigjilent dhe raportojmë shkeljet ligjore të përsëritura në trafikun rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje theksohet se policia me njësitet e saj vazhdon në menaxhimin e trafikut rrugor dhe ndërmarrjen e masave ligjore aty ku vërehen apo raportohen shkelje të rregullave të trafikut.

“Gjeni masat e ndërmarra (tiketën e shqiptuar) nga Policia, ndaj një kundërvajtësi i cili është ndal në vendkalim të këmbësorëve, veprimi i të cilit është publikuar përmes rrjeteve sociale”, thuhet në njoftimin e policisë, për gjobën e shqiptuar si shkak i ndaljes dhe parkimit në vendkalimin e këmbësorëve në rrugën B.

Sipas statistikave të fundit të policisë, brenda 24 orëve ka ndodhur një aksident me fatalitet, 19 aksidente me të lënduar dhe 35 me dëme materiale.

Po ashtu janë shqiptuar edhe 1590 tiketa, si dhe janë arrestuar 20 persona, prej tyre 18 janë në mbajtje. /Insajderi.com