Hungaria në nëntor pritet ta marrë komandën e KFOR-it në Kosovë

Hungaria në nëntor pritet ta marrë komandën e KFOR-it në Kosovë

Ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë se është planifikuar që Hungaria ta marrë komandën e KFOR në Kosovë në nëntor të këtij vitit, transmeton Insajderi.

Ai tha në Bruksel se roli i Hungarisë në NATO është më i rëndësishëm se kurrë më parë, raporton portali ‘Hungary today’.

“Hungaria është planifikuar të marrë udhëheqjen e KFOR-it, operacionin e NATO-s në Kosovë dhe operacionin më të madh të aleancës në tokë, në nëntor”, tha ai në një konferencë shtypi në Bruksel.

Sipas tij, Hungaria ka rritur numrin e trupave të saj në 500 ushtarë në Kosovë dhe është zotuar të koordinojë vaksinimin e stafit të KFOR-it kundër Coronavirusit.

“Hungaria do të luajë gjithashtu një rol udhëheqës në një operacion të përbashkët të mbrojtjes ajrore në vendet Balltike vitin e ardhshëm”, shtoi ministri hungarez./Insajderi.com