Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është deklaruar rreth çështjeve të diskutuara në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, për çka tha se është diskutuar çështja e dialogut me Serbinë, njofton Insajderi.
Në një adresim për media pas kësaj mbledhje, Konjufca është shprehur optimist që kryeministri i Kosovës, Albin kurti, në takimin e nesërm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, do ta përfaqësojë opsionin e një dialogu ku Kosova e kërkon atë që është substanciale – që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe e pranuar nga Serbia.
“Neve na duhet një përfaqësim i ri politik, që vjen mas ndryshimit të rezultatit zgjedhor, i cili i jep një garanci shoqërisë tonë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin. Jam fort i bindur që kryeministri Kurti në ditën e nesërme, në takimet që i ka atje, do ta përfaqësojnë dinjitetshëm pikërisht atë që ka ndodhur me 14 shkurt, me 14 shkurt, qytetarët i kanë thënë stop shumë gjërave, por njëra ndër gjërat e rëndësishme është edhe dialogun me Serbinë”, tha ai.
“E në këtë jam fort optimist që Kurti do ta përfaqësojë opsionin enjë dialogu Kosova e kërkon atë që është substanciale, atë që është me Serbinë, që Kosova të jetë shtet i njohur dhe pranuar nga Serbia që Aleksandër Vuçiq ta pranoj realitetin e ri në Kosovës, njëri është prej 1999 dhe tjetri është prej 14 shkurtit”, shtoi Konjufca.
Derisa u deklarua për këtë temë, Konjufca përmendi edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës që sipas tij nuk duhet asessi të lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai thotë se procesi i dialogut mund të vazhdojë me vite të tëra, pasi Serbia i ka ambiciet e mëdha, në të cilat përfshihet edhe ndarja e territorit të Kosovës, andaj nuk duhet që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të lidhet me të, meqë sipas tij, rrezikohet se ky problem mund të mbetë në dorën e Serbisë.
“Liberalizimi i vizave nuk duhet të lidhet në asnjë mënyrë me dialogun me Serbinë, ai mund të zgjasë me vite të tëra pasi që Vuçiq mund të kërkojë pjesë të Kosovës për shkak të ambicieve që i ka. Nëse doni ta lidhni liberalizimin e vizave me dialogun, ia jepni në dorë kushtin Serbisë. Mbetet në dorë të Serbisë kushti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Sa i përket Asociacionit, i pari i Parlamentit thotë se “qëndrimet e institucioneve tona duhet të jenë të qarta, ndërsa pozicionimi duhet të jetë ky: Asociacionin e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese. Përpjekja për definimin e një asociacioni të ri duhet të jetë shumë e vështirë. Institucionet tona nuk duhet ta rihapin çështjen e Zajednicës”. /Insajderi.com