Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit që të hënën ka marrë presidentja e vendit, Vjosa Osmani për të shkarkuar nga pozita e kryetares së KQZ-së, Valdete Dakën, shkruan Insajderi
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në një shkrim në ‘Twitter’ ka komentuar këtë vendim, duke thënë se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës.
Ai më tej ka shkruar se pavarësia e KQZ-së duhet ruajtur si dhe duhet siguruar përgatitje profesionale pasi zgjedhjet lokale janë afër.
“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, ka shkruar Szunyog.
Presidentja, Osmani gjatë ditës së djeshme ka vendosur për shkarkimin e Dakës.
Shkarkimi i saj nuk u mirëprit nga shoqëria civile, dhe partitë opozitare.
Madje, është paralajmëruar se vendimi i Vjosa Osmanit mund të dërgohet për interpretim në Gjykatë Kushtetuese.
Took note of @VjosaOsmaniPRKS decision to dismiss @KQZKosova chair & appoint a new one. Important that all procedures are in line w/ Kosovo law & that CEC independence is safeguarded 2 ensure professional & timely preparation of municipal elections & electoral legislation reform.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) June 15, 2021